(Mini)Biblioteka e parë Rome në Kosovë  

1184-title

Kosova është një djep i kulturave të ndryshme të popujve. Diversiteti, krenaria, patriotizmi dhe suksesi i të rinjve nuk mungojnë.


E reja Rome nga Kosova, Urma Menekshe, me ëndrrën e saj si mësuese, implementon projektin individual “Pasurimi i literaturës në gjuhën rome”. Projekti në fjalë është iniciativa e parë për hapjen e minibibliotekës së parë Rome në Kosovë, posaçërisht në qytetin e Prizrenit. Kjo minibibliotekë posedon 180 libra të autorëve rom vendorë dhe ndërkombëtarë, ku një numër i konsiderueshëm i librave janë sjellë nga shtetet e rajonit, si: Kroacia, Maqedonia, Shqipëria dhe Rumania.

Dëshira e Urmës, me vite të tëra, ka qenë të kenë një bibliotekë të pasuruar me literaturë shtesë sepse literaturën që kanë pasur deri më tani nuk ka qenë e mjaftueshme.

Gjithashtu, Urma tregon se në fillet e saj të karrierës si mësuese e Gjuhës rome ka pasur problemin e gjetjes ose ka pasur mungesë të librave të gjuhës rome. Prandaj edhe mori iniciativën për hapjen e kësaj minibiblioteke në mënyrë që të rinjtë e tjerë të kenë mundësinë të lexojnë dhe të kenë mjaftueshëm literaturë, përralla e poezi në gjuhën rome të autorëve të ndryshëm. Andaj, kjo i jep mundësi të gjithë qytetarëve të Kosovës të kenë qasje në këtë minibibliotekë, pa dallim, dhe të bëhen pjesë e imagjinatës, historisë, gjuhës dhe kulturës së komunitetit rom.

Urma është Fellow e Kohortës së Dytë të Teach For Kosova. Kështu e përshkruan ajo përvojën e saj në Fellowshipin e Teach For Kosova:


“Në rrugëtimin tim disa vjeçar, kam pasur fatin të jem pjesë e shumë trajnimeve dhe punëtorive të ndryshme. Në këtë rrugëtim do të veçoj përvojën time si Fellow në programin e Fellowshipit të Teach For Kosova. Teach For Kosova ishte vendi ku unë kam pasur dëshirë të fuqizohem më shumë në aspektin e mësimdhënies dhe të përfitoj njohuri të ndryshme në këtë profesion. Kam pasur deshirë të jem mësimdhënësja e dashur, e afërt me nxënësit dhe shembull për nxënësit e mi, t’i ndihmoj nxënësit në arritjen e rezultateve më të mira në mësime. TFK ishte ajo e cila ka përpunuar brumin e mësimdhënëses, të cilën e kam pasur në shpirt dhe jam aftësuar më shumë në këtë drejtim. Tani edhe si mësimdhënëse e Gjuhës rome, jam duke u bazuar në përvojat të cilat i kam përfituar nga TFK” – shton Urma.


Atë çka Urma e cilëson si sfidë është gjendja ekonomiko-sociale me të cilën ballafaqohet komuniteti rom, ku e gjithë jeta e tyre kalon duke u përpjekur t'i përballojnë dhe ndryshojnë steriotipet e krijuara prej kohësh. Mësuesja e gjuhës rome, Urma Menekshe, thotë se duhet të mësojmë dhe të pranojmë njeri-tjetrin ashtu siç jemi, sepse të gjithë jetojmë në të njëjtin vend, me të njëjtin qëllim, që ta zhvillojmë dhe përparojmë vendin tonë - Kosovën.

Projekti “Pasurimi i literaturës në gjuhën rome” është projekt individual i mësueses Urma Menekshe, e cila është e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Gallery

Share this Post: