Këshilli Danez për Refugjatë (DRC)hapi një thirrje për aplikime për bursa për të rinjtë dhe të rejat nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë për përfundimin e shkollës së mesme. Bursat do t'u jepen të rinjve që përfaqësojnë grupet etnike të lartpërmendura, të cilët kanë përfunduar plotësisht shkollën fillore dhe/ose kanë braktisur shkollën e mesme dhe që kanë një vullnet të fortë për të përfunduar arsimin e mesëm dhe do të jenë të përkushtuar ndaj kërkesave të bursave.
Bursa do të mbulojë tarifat e studimit dhe materialet mësimore për kandidatët e kualifikuar gjatë një viti akademik, si dhe nëse është e nevojshme, një pagesë ditore dhe shpenzimet e transportit.
Nga ky program bursash mund të përfitojnë të gjithë ata që janë të interesuar të përfundojnë arsimin e mesëm profesional dhe përmbushin kriteret e pranueshmërisë të listuara më poshtë. Të rinjtë dhe të rejat që, për çfarëdo arsye, kanë braktisur arsimin e mesëm inkurajohen të aplikojnë.
Aplikantët duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Të jetë i ri ose e re pjestarë/e të komuniteteteve rom, ashkali ose egjiptian (18-35 vjeç);
- Të jetë banor i njërës nga komunat në regjionet e Mitrovicës ose Prishtinës;
- Të ketë dëftesë për përfundimin e shkollës fillore ose të përfundimit të ndonjë klase nga shkolla e mesme;
- Prindërit të jenë përfitues të ndihmës sociale nga qendra e mirëqenies sociale, ose prindërit tuaj janë të papunë.
Të gjithë aplikantët janë të ftuar të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme:
- Një kopje e certifikatës së përfundimit të shkollës fillore.
- Një kopje e certifikatës së klasave të shkollës së mesme (nëse ka të përfunduar).
- Një kopje valide të letërnjoftimit.
- Një kopje e vërtetimit se janë përfitues të skemës sociale.
Dokumentet e kërkuara duhet të dërgohen në email adresën: [email protected] duke shenuar "Aplikimin për Programin e Bursave" në subjektin e emailit deri më 30/06/2023 në orën 17:00.