Jam Gentiana, 27 vjeçare dhe vij nga Prishtina.
Në vitin 2015 kam përfunduar studimet bachelor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakulteti Filozofik, dega: Etnologji dhe Antropologji Kulturore, me ç’rast gjatë dy viteve të studimeve isha edhe bursiste. Në po këtë vit kam vazhduar studimet master në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, në Fakultetin Ekonomik, dega: Trashëgimi Kulturore dhe Menaxhim i Turizmit.
Gjatë studimeve bachelor kam ushtruar praktikë në një nga shkollat fillore të Prishtinës, me temën “Trashëgimia kulturore e vendit tonë”, ku kam vënë re një etje të madhe të nxënësve për të njohur e ditur më shumë rreth kulturës së vendit tonë. Në vitin 2016 kam punuar në Ministrinë e Diasporës si zyrtare/regjistruese për hartimin dhe përditësimin e regjistrit të Diasporës dhe Mërgatës. Kjo përvojë ka pasur ndikim në evidentimin e dallimit edukativo/arsimor te nxënësit dhe familjet në përgjithësi që jetojnë në shtetet perëndimore dhe atyre në Kosovë.
Kam vërejtur një qasje më të hapur e më objektive ndaj ambientit i cili i rrethon, situatave të ndryshme sociale me të cilat përballen, praktika më të mira të cilat pse jo mundemi t’i zbatojmë edhe në Kosovë. Padyshim që sistemi arsimor i shteteve respektive ku ata jetojnë ka pasur një ndikim të madh në këtë drejtim. Gjithashtu, në vitin 2017 kam punuar në Institutin Arkeologjik të Kosovës, si hulumtuese në gërmime arkeologjike. Shembulli i cili kërkohet si evidencë e zhvillimit njerëzor në shtetin tonë lirisht mund të thuhet se ekziston në të kaluarën tonë të pasur që tregon një civilizim të lartë.
Synimi im që nga koha e studimeve ka qenë që të kontribuoj sadopak në ndryshimin e sistemit arsimor në vendin tonë sepse një shkollim më cilësor dhe më i mirëfilltë na shpie në një shoqëri më përparimtare.