Arta Hiseini

1177-title

Jam Arta Hiseni, 27 vjeçe nga Fushë Kosova. Kam përfunduar studimet themelore në kolegjin “FAMA” në drejtimin Psikologji e përgjithshme, ndërkaq titullin Master e kam fituar nga Universiteti i Prishtinës, në drejtimin Psikologji shkollore dhe Këshillim.

Që nga mbarimi i studimeve themelore e deri më tani, angazhimi im profesional ka qenë dhe është i ndërlidhur në masë të madhe me sistemin arsimor, më saktësisht edukimin joformal, por edhe me një përvojë të shkurtër dhe modeste në sferën e edukimit formal. Përvoja ime në organizata të ndryshme, si Balkan Sunflowers Kosova që e kanë pasur në fokus edukimin, e kanë kultivuar tutje dëshirën dhe fokusin tim, që të jem e përfshirë në fushën e arsimit dhe të edukimit. Në anën tjetër, përveç angazhimit tim në sferën e edukimit, jam edhe vullnetare në Qendrën për Hulumtime Psiko- Sociale dhe Mjekësore, tash e sa vite. Mundësia e përfshirjes në aktivitete dhe projekte të ndryshme nga kjo qendër, më ka bërë më të afërt me fushën time të studimit, dhe jo vetëm kjo, por më ka ndihmuar edhe në vetë zhvillimin tim personal dhe profesional, në rritjen e kapaciteve dhe shkathtësive të tjera. Disa prej këtyre projekteve ku edhe unë kam qenë pjesë e tyre, kanë pasur për qëllim promovimin e shëndetit mendor, si dhe promovimin e vlerave demokratike dhe qytetarisë aktive, kryesisht tek fëmijët dhe tek të rinjtë.

Të jesh pjesë e Teach for Kosova si Fellow e kohortës së dytë, më jep mundësi të mëdha në zhvillimin tutje të aftësive dhe shkathtësive, si dhe krijimin e rrjetëzimit të nevojshëm me persona që synojnë dhe punojnë drejt ngritjes së cilësisë dhe kapaciteteve në fushën e arsimit dhe edukimit. E misioni im është i qartë: duke ju ofruar nxënësve një ambient pozitiv, ne jo vetëm që i motivojmë ata të mësojnë, por edhe krijojmë tek ta ndjenjat e kompetencës dhe vetëbesimit, e me këtë edhe synojmë të kultivojmë tek ta rëndësinë e të mësuarit gjatë gjithë jetës.

Share this Post: