Jam Getoarba Prokshaj, 24 vjeçare, nga komuna e Skenderajit.
Studimet themelore i kam përfunduar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Programi Ekologji dhe Mbrojtje e Mjedis. Aktualisht jam studente e nivelit Master në vitin e dytë, Fakulteti i Edukimit-Programi Mësimdhënie Lëndore me Specializim në Biologji.
Që nga viti 2015 jam pjesëmarrëse aktive e fushatave avokuse dhe aktiviteteve vullnetare për mbrojtjen e mjedisit. Në vitin 2018, në saje të angazhimit vullnetar, u shpërbleva me çmimin "Vullnetarja e Vitit" nga organizata Let's Do It Kosova. Me fotografinë e realizuar gjatë aktiviteteve të pastrimit u rangova në vendin e parë në kampanjën #ecokosovo2. Vullnetarizmi është shumë i çmuar për mua, andaj angazhimi im nuk kufizohet vetëm në mbrojtje të mjedisit.
Gjatë ditëve të para të pandemisë në mënyrë virtuale kam qenë e angazhuar brenda grupit "Vullnetarët #COVID-19" në evidentimin dhe koordinimin e aktiviteteve humanitare. Së fundi kam përfunduar punën praktike në Rrjetin CSR Kosova, përvojë kjo shumë e nevojshme për orientim në karrierë. Kam marrë pjesë dy herë në punëtorinë UPSHIFT, në cilësinë e mentores vullnetare ku edhe njëherë u mboll dashuria për mësimdhënien, për mundësinë e të dhënit kontribut në zhvillimin e ideve gjeniale të mendjeve të ndritura. E kurora e kësaj është mundësia që më dha Teach For Kosova, organizatë me cilësi, me profesionalizëm të lartë dhe shumë revolucionare për sistemin arsimor të Kosovës.
Unë mendoj që një mjedis i shkëlqyer në klasë buron thellë nga zemra, dashuria, buzëqeshja dhe ndjenja e përkatësisë.