Unë jam Lina Azemi, nga Prishtina. Studimet Bachelor i kam përfunduar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Fakultetin e Edukimit - Programi Fillor. Aktualisht jam në procesin e përgatitjes së temës së diplomës në nivelin Master në drejtimin Mësimdhënia dhe kurrikula.
Përvojën time si mësuese e kam filluar në shtator të vitit 2021, në shkollën "Akademia Ora". Ky ishte një moment i rëndësishëm në rrugëtimin tim si mësuese, pasi më lejoi të fitoja përvojë të vlefshme dhe të zhvilloja aftësitë e mia në klasë. Puna me nxënës të natyrave të ndryshme më mësoi e rriti profesionalisht dhe më ndihmoi të vazhdoja ta ushqeja pasionin për mësimdhënien që vetëm sa është forcuar me kalimin e kohës.
Filozofia ime e mësimdhënies përqendrohet në krijimin e një mjedisi mësimor mbështetës dhe tërheqës që inkurajon nxënësit të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Jam e përkushtuar të krijoj një lidhje të fortë me secilin nga nxënësit dhe të përdor teknika dhe materiale mësimore që e bëjnë mësimin argëtues. Gjithashtu i kushtoj shumë rëndësi gjendjes së tyre emocionale dhe përkujdesem që të krijoj një mjedis pozitiv, të ngrohtë, dhe miqësor.
Unë besoj se çdo fëmijë meriton qasje në arsim cilësor dhe jam e përkushtuar të bëj pjesën time për ta bërë këtë realitet. Ndihem shumë krenare kur shoh suksesin e nxënësve të mi dhe shpesh emocionohem kur arrijnë diçka të rëndësishme. Është tepër shpërblyese të dish se unë kam luajtur një rol në rritjen dhe zhvillimin e tyre si individë.
Ndërsa vazhdoj rrugëtimin tim si mësuese, synimi im është të ndikoj pozitivisht në arsim në çdo mënyrë të mundshme. Qoftë duke u përfshirë në zhvillimin e kurrikulës ose duke avokuar për politika që përfitojnë nxënësit dhe mësuesit.
Jam e lumtur të vazhdoj rritjen time profesionale e të sjell pasionin dhe përgatitjen time akademike në Teach for Kosova. Besoj se së bashku, ne mund të kemi një ndikim të qëndrueshëm në cilësinë e arsimit, të bëjmë një ndryshim të vërtetë në jetën e fëmijëve dhe të ndihmojmë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për vendin tonë.