Quhem Albina Avdyli, jam 23 vjeçe dhe vij nga qyteti i Ferizajit. Për momentin jam në përfundim të studimeve bachelor për fizikë, në universitetin e Prishtinës.
Qysh si fëmijë, vullnetin dhe dëshirën për t’i mësuar të tjerët i kam pas tejet të shquara, ani pse atëherë nuk e kam ditë. Në anën tjetër dëshira për me i kuptu e thjeshtu gjanat, ka ndiku që gradualisht të më del në pah interesi për shkencë, e më saktësisht për fizikë, prandaj edhe kam vendos me studiu atë.
Kur kam fillu studimet, nuk e kam mendu që në të ardhmen shumë prioritet do ta kem mësimdhënien, por thënë të drejtën falë disa videove/ligjëratave ne internet që kam shiku nga profesorë të huaj të fizikës, kam reflektu në mungesën e një mësimdhënësi të tillë. Po në këtë pikë, kam bërë një premtim me veten: do japësh më të mirën dhe do të dalësh jashtë zonës së komfortit kurdo që ti do të dalësh para nxënësve.
Shumë shpejt, veçse vendosa ta sfidoj veten. Në baza vullnetare fillova praktikën në një shkollë fillore, ku aty pashë për së afërmi se sa e pasionuar dhe e dhënë për fizikë e mësimdhënie jam. Ne anën tjetër, gjatë atyre javëve, për herë të parë pashë arsimin në përgjithësi me një sy tjetër.
Nevoja qe hasa tek nxënësit për ndryshim, liri të shprehjes, argëtim, kuptim e barazi, qëndronte me mua edhe pas përfundimit të praktikes. Nga kjo morra shtysë që të bëj një ndryshim sado të vogël tek të rinjtë, e sidomos tek ata që kanë më së shumti nevojë, andaj vendosa të bashkohem me OJQ “TOKA” dhe të hap një klub të Super-Vullnetarëve.
Që nga shtatori i vitit të kaluar jam njëra nga Super-Mentoret e klubit tonë. Përvoja këtu çdo ditë e më shumë po më bën të rritem bashkë me nxënësit, të fitoj aftësi të një lidereje e të shoh që po, secili nga ne mund të bëj ndryshim.
Lëvizja ‘Teach for Kosova’ më dha një shpresë të madhe për arsimin e gjeneratave vijuese, e pranimi në të, pos vullnetit për të punuar sa më shumë për një arsim më të mirë, më dha ndjesinë e fillimit të realizimit të një ëndrre. Koha do ma dëshmojë mua dhe të tjerëve këtë, sepse me të vërtetë “sapo të fillosh të ecësh, rruga do të shfaqet.”