Nuhi Morina

1103-title

Unë jam Nuhi Morina dhe jam 26 vjeç. Vij nga Prizreni, qyteti i diversitetit kulturor, fetar dhe etnik. ⁣

Kam diplomuar në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në departamentin e TIT. Aktivizmi im filloi qysh nga shkolla fillore si vullnetar i shoqërive civile në komunitet e deri më sot ku kam qenë pjesëmarrës i trajnimeve të ndryshme, hulumtimeve e projekteve. Gjithashtu kam kontribuar në avokim, lobim, punë praktike e shumë gjera të tjera. ⁣

Fillimisht po e veçoj përvojën time e cila më ka bërë të ndihem shumë mirë gjatë angazhimit tim në një projekt nga KEC - “Kosova Education Center”, i cili u realizua në gjashtë komunat e Kosovës. Isha ndihmës i programit për detyrat e shtëpisë me fëmijët e komunitetit Rom, Ashakali dhe Egjiptian nga programi fillor e deri tek ai i klasave të IX-ta. Kjo gjë për disa nga prindërit e lagjes ishte e papranueshme meqë për ta isha shumë i ri për të qenë mësimdhënës e për të dhënë mësim dhe shpeshherë dëgjoja të thonin “Si një fëmijë që mëson një fëmijë tjetër”, mirëpo me kalimin e kohës puna jonë u dëshmua dhe më pas u vlerësua me respektin më të madh përgjatë pesë viteve si mësimdhënës. ⁣

Karriera ime pastaj mori kahje tjetër sepse vendosa të studioja në Shkenca kompjuterike dhe pavarësisht sfidave të shumta unë arrita të diplomoja me sukses në këtë fushë. Me temën “Children's safety on the internet”, me të cilën edhe diplomova , organizata “Terre des Hommes” më ka mbështetur në realizimin e disa aktiviteteve rreth saj. Pas përfundimit të studimeve kisha fatin të isha pjesë e programit që ofronte organizata “Roma Versitas Kosovo”, e cila më dha mundësinë që të zhvillohesha profesionalisht më tutje. Fillova të ligjëroja kursin e informatikës me studentët që ishin pjesë e programit të tyre në Prizren dhe në Pejë. Ligjëroja gjëra bazike kompjuterike dhe njohuri për teknologjinë që mund t’ju duhen në studime dhe në karrierë si: Operating System, Microsoft Office, pastaj punime të ndryshme seminarike, prezantime, formatizimin e PC-së, mbrojta nga rreziqet në internet, privatësia dhe të tjera. ⁣

Është kënaqësi dhe privilegj tani që jam pjesë e programit Teach for Kosova, ku gjithmonë kisha një qellim në jetën time që të luftoj gjithmonë për dije e të mësoj, sepse një mësues i mirë është si një qiri: ‘’Ai konsumon vetveten për t`ua ndriçuar rrugën të tjerëve”.

Share this Post: