Unë jam Blerta Ukshini, 26-vjeçare, e lindur dhe e rritur në qytetin e Ferizajt.
Studimet baçelor i kam përfunduar në programin Fizikë, në Fakultetin e Shkencave Matematikë Natyrore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në po të njëjtin Universitet po ndjek studimet master, në Fakultetin e Edukimit, programi Mësimdhënie Lëndore me specializim në Fizikë.
Gjatë gjithë jetës, gjithçka që kam mësuar, me shumë dëshirë e kam ndarë edhe me të tjerët. Fatmirësisht, për këtë tipar, më kanë bërë të jem e vetëdijshme shoqëria ime. Rrugëtimi im gjatë studimeve dhe trajnimeve të ndryshme më ka bërë të kuptojë se të qenit mësimdhënëse është profesioni të cilin unë e kam më për zemër dhe të cilin tani e bëj me shumë pasion.
Entuziazmi të cilin e kam kur bëj apo flas për gjithçka që unë e dua dhe krijimi i lidhjeve emocionale me ambientin përreth, më kanë ndihmuar që të zhvilloj empatinë dhe t’ju ndihmojë nxënësve po ashtu të bëjnë të njëjtën gjë.
Si mësimdhënëse e re jam nisur me qëllimin që fëmijëve t’iu siguroj një ambient ku ata ndihen të lirë, të kuptuar e të barabartë, e po ashtu të argëtohen dhe të mësojnë shumë nga unë. Mirëpo nga të gjithë, ajo që kam mësuar më së shumti nga kjo periudhë isha vetë unë.
Mësimdhënia është profesion i cili të bën të kuptosh se duke i mësuar të tjerët, më së shumti mësoni për veten.