Donjeta M. Shatri

1283-title

Unë quhem Donjeta M.Shatri dhe vij nga komuna e Istogut. Studimet Bachelor i kam përfunduar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakulteti i Edukimit – Programi Fillor ku jam duke vazhduar studimet Master- Programi Udhëheqja në Arsim.

Përvojën time si mësimdhënëse e kam filluar në kuadër të The Ideas Partnership në Fushë Kosovë dhe në Janjevë në mënyrë vullnetare. Përvoja e tillë më ka mësuar të jem shumë fleksibile dhe adaptueshme duke planifikuar sipas nevojave të nxënësve dhe duke iu përshtatur mjedisit të mësimdhënies.

Përvoja në shkollën “American School of Kosova’’ ka qenë një formë e mirë angazhimi në zhvillimin e vazhdueshëm profesional për të përmirësuar aftësitë e mësimdhënies dhe për të qëndruar e përditësuar mbi praktikat më të mira për të punuar me nxënësit me veshtirësi në nxënë dhe në vetërregullim si dhe mundësi e mirë për t’u rritur profesionalisht përmës bashkëpunimit kolegial.

Puna në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Bedri Gjinaj” në Mitrovicë ka qenë një përvojë tjetër rritese. Krijimi i një mjedisi mësimor të sigurt dhe gjithëpërfshirës ku të gjithë nxënësit ndihen të pranuar dhe rehat për t'u shprehur si dhe për të kërkuar ndihmë ka qenë objektiva kryesore.

Tri vite e gjysmë të punës në shkollën International Learning Group (ILG) më kanë mundësuar zhvillimin tim prej mësuese në një nivel tjetër. Puna në një shkollë ndërkombëtare më ka ofruar shumë përfitime, duke përfshirë ekspozimin ndaj kulturave të ndryshme, mundësitë e rritjes profesionale, lidhjet globale, zgjerimin e njohurive dhe aftësive.

Pjesë e zhvillimit tim personal ka qenë pjesëmarrja në kampin veror për fëmijë në qytetin e Izmirit, Turki. Në rolin e mësimdhënës së Gjuhës angleze si dhe bashkëplanifikuese e aktiviteteve të tjera sportive dhe kreative ka mundësuar të krijoj një ambient të ngrohtë për fëmijët përkundër përjetimeve të tyre të pakëndshme në jetë.

Puna vullnetare në shkollën formale “Imaginaturium” në Graçanicë ka qenë një përvojë tjetër që ka ndikuar në rritjen time profesionale në shumë dimensione. Puna me fëmijët e pakicave ka ndikuar që të zgjeroj këndvështrimin tim dhe të pasuroj të kuptuarit tim për botën. Kjo përvojë më ka mësuar për sfidat e ndryshme që fëmijët e pakicave përballen si varfëria dhe diskriminimi, si dhe ka ndikuar në zhvillimin më të thellë të empatisë.

Në verën e vitit 2022 kam qenë pjesë e kampit veror në Vienë, Austri i mbajtur në shkollën “Rudolf Steiner Landschule Schönau”. Qëndrimi në shkollën e filozofisë Waldorf ka qenë mundësi e mirë për të parë sistemin e edukimit të fëmijëve dhe synimit të sigurimit të një mjedisi mësimor edukues dhe mbështetës që nxit rritjen holistike të fëmijës.

Përfshirja në klubin e ragbit “Balkan Lynx Rugb Club” në vitin 2018 ka ndikur në zhvillimin e shumë shkathtësive që kanë qenë të mirëseardhura në plot aspekte tjera duke përfshirë edhe në profesion. Si sport ekipor ka pasur dhe vazhdon të këtë një ndikim pozitiv në zhvillimin fizik, social dhe emocional timin si dhe të fuqizojë shumë elemente të tilla si bashkëveprimi, të menduarit kritik dhe strategjik.

Angazhimi si trajnere e ragbit për fëmijë në klubin “Bobcats Rugby Club” mbetet një hapësirë tjetër ku kam integruar shkathtësitë prej një mësimdhënëse dhe përvojen e sportit, për t’u afruar fëmijëve një hapësirë ku rritja e tyre është shumë dimensionale.

Këtë vit pjesëmarrjen në programin e Teach for Kosova e shoh si një mundësi dhe hapësirë për të takuar njerëz të cilet duan dhe synojnë të ngrisin cilësinë në sistemin edukativo-arsimor në Kosovë. Këtë përvojë e shoh edhe si formë për të ardhur deri tek idetë më praktike që do të sillnin ndryshime pozitive në shkolla.

E bukura e të qenit mësimdhënëse mbetet hapësira për të krijuar lidhshmëri me llojllojshmëri nxënësish me prejardhje e perspektiva të ndryshme dhe mundësia për t'i frymëzuar ata të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Duke edukuar dhe frymëzuar brezat e ardhshëm, e ngrisim potencialin për të kontribuar në ndryshime pozitive në shoqëri.

Brezat të cilat ngrisin vetëdije për potencialin e tyre, kanë vetëbesim si dhe kërkojnë hamonizim në aspekte të ndryshme të jetës së tyre si puna dhe jeta personale, mirëqenia fizike, emocionale dhe mendore e bëjnë një shoqëri të shëndoshë.

Share this Post: