Lorinda Sallahu

1288-title

Jam Lorinda Sallahu, 23 vjeçare, nga komuna e Vushtrrisë. E diplomuar në Fakultetin e Edukimit, në programin Edukim Fillor. Aktualisht ndjek studimet master në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, në programin “Matematika për mësimdhënie”.

Për herë të parë kam filluar të punoj në nëntor të vitit 2019, në një shkollë të kurseve në Prishtinë si mësimdhënëse e matematikës. Në këtë kohë kam qenë ende studente. Kam punuar pothuajse 2 vite në këtë shkollë, me nxënës nga klasat 1-9. Ka qenë eksperiencë e mirë dhe shumë e rëndësishme për mua sepse aty kam hedhur hapat e parë dhe kam vënë bazën e personalitetit tim si mësuese. Për shkak edhe të natyrës së shkollës, orët kanë qenë shumë efektive dhe atraktive.

Më pas në tetor të vitit 2021 fitova pozitën mësuese klasore, në shkollën Akademia “Ora”, ku vazhdoj të punoj. Ishte natyrisht përvojë ndryshe sepse për herë të parë mora përsipër përgjegjësinë edhe si mësuese edhe si kujdestare. Vetëm sot kur shikoj mbrapa e shoh se sa shumë më ka ndihmuar puna këtu që të njoh së pari veten pastaj të kuptoj mirë procesin mësimor bashkë me tërë sfidat që sjell me vete. Projektet e shumta dhe detyrat që vazhdimisht kërkohen nga ne, më kanë zhvilluar dhe më kanë bërë që ta dua dinamikën e punës. Çdo ditë është një përvojë e re dhe një plotësim tjetër.

Aktualisht punoj si mësuese e klasës së tretë dhe mësimdhënëse e matematikës për klasat 6,7,8 dhe 9 në shkollën “Ora”. Jam e përkushtuar dhe insistuese në arritjen e qëllimeve të mia, qëllimeve për nxënës individualisht apo kolektivisht. Insistimi për të realizuar diçka përkundër vështirësive që mund të kem hasur dhe se sa e pamundur mund të ketë tingëlluar në fillim si dhe insistimi për të arritur diçka duke injoruar rrethanat e disfavorshme më ka sjellë shumë suksese në punën si mësimdhënëse. Numëroj këtu edhe sukseset e vogla si nxitjen e dëshirës për të nxënë dhe jo vetëm për notë, përmirësim në sjellje të një nxënësi me ADHD, ngritjen e përqindjes së suksesit të klasës ose fitoret në kuizet e diturisë dhe gara të tjera me nxënës. Pra, kam arritur mendësinë si mësuese që dëshira dhe përkushtimi mund të të çojnë kudo.

Në Teach For Kosova pres që të fitoj përvojë të cilën do të mund ta aplikoj më pas në punën time si mësimdhënëse. Përveç anës profesionale, të cilën nuk kam dyshim se do ta përforcoj, shpresoj të zhvillohem edhe personalisht nga bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave me kolegë dhe të tjerë.

Përveç fushës së mësimdhënies kam ndjekur edhe trajnime si në fushën e programimit dhe sigurisë kibernetike. Kam marrë pjesë edhe në aktivitete me karakter paqësor e social në “Kosovo Youth Dialogue”. Si nxënëse kam marrë pjesë në gara komunale dhe kombëtare të matematikës, kam zënë vendin e III-të në nivel regjional. Gjithashtu, kam marrë pjesë në panaire të shkencës dhe kulturës, me karakter kombëtar, zakonisht në lëndën e kimisë.

Share this Post: