Fellowshipi i Teach For Kosova është një program dyvjeçar i mësimdhënies i cili zhvillon liderë të shquar kosovarë. Ky fellowship do t’u ndihmojë këtyre mësimdhënësve ta mbërrijnë potencialin e tyre profesional dhe udhëheqës gjatë kohës që janë të përkushtuar në mësimdhënie dhe gjatë punës së tyre në klasë.
Mësimdhënësit e Teach For Kosova do të vendosen në shkolla publike dhe do të mbështeten për dy vite me trajnime intensive për zhvillim të lidershipit.
Qëllimi i Fellowshipit, e veçanërisht aspekti i zhvillimit të lidershipit është t’i sfidojë Fellows për të parë çështjet arsimore në pikëpamje më të gjera. Mësimdhënia e shkëlqyer është jetike; megjithatë ne duam që fellows tanë të jenë të vetëdijshëm për kushtet që e rrethojnë ambientin e një klase dhe e pengojnë punën e një mësimdhënësi.
Kjo fillon edhe nga të kuptuarit e roleve të Drejtorive të Arsimit për të njohur barrierat e sistemit të cilat janë aktuale dhe nuk e lejojnë sistemin tonë të arsimit ta arrijë potencialin e tij. Njohuritë që ata i marrin gjatë Fellowshipit do t’u lejojnë atyre të punojnë si individualisht ashtu edhe kolektivisht për trajtimin e këtyre çështjeve.
KUSH MUND TE BËHET FELLOW?
Ne rekrutojmë dhe përzgjedhim të diplomuar të talentuar kosovarë, profesionistë të rinj dhe mësimdhënës ekzistues nga fusha të ndryshme studimi për t'u bërë fellows. Ne kërkojmë udhëheqës të rinj të cilët janë mendjehapur dhe kanë aftësi të jashtëzakonshme për të udhëhequr.
Fellows nuk u kërkohet të kenë përvojë në mësimdhënie gjatë kohës që aplikojnë në Programin e Fellowshipit. Nëse përzgjidhen për Fellowship ata do të jenë pjesë e një trajnimi intensiv 5 javor ndryshe i quajtur Instituti Veror dhe aty do të përgatiten për klasat ku do të japin mësim.
Gjatë gjithë programit dyvjeçar Fellows do të kenë mbështetje të vazhdueshme nga mentorë të ndryshëm me përvojë duke u siguruar kështu që ata të udhëheqin më së miri në klasat e tyre dhe të kenë ndikim pozitiv te nxënësit.
SI MUND TË KEMI NDIKIM?
42% e popullsisë së vendit është nën moshën 25 vjeçare andaj edhe roli që pjesëtarët e Teach For Kosova do të luajnë do të jetë vendimtar. Fellows gjatë punës së tyre në klasë do të lënë ndikim i cili do të vazhdojë të jetë i pranishëm edhe pasi ata ta përfundojnë programin e të bëhen alumni.
Mësimdhënie për ndryshim
Nëpërmjet mësimdhënies, Fellows do të kenë mundësinë unike për të ndryshuar të ardhmen e fëmijëve të Kosovës. Roli i Fellows është që të jenë model për nxënësit e tyre. Ata do t’i mbështesin këta nxënës në karrierën e tyre akademike duke siguruar informacione të vazhdueshme për cilësinë e të nxënit të nxënësve, duke bashkëpunuar me kolegë mësimdhënës, prindër, anëtarë të komunitetit dhe udhëheqës me qëllim që t’i arrijnë rezultatet e synuara. Teach For Kosova do të mbështesë dhe trajnojë Fellows të cilët do të pajisin nxënësit e tyre me njohuritë, aftësitë dhe shkathtësitë e nevojshme për shekullin XXI.
Një përvojë transformuese
Rrugëtimi i lidershipit të një fellow të Teach for Kosova do të jetë rrugëtim sfidues, ku si mësimdhënës do të përballen dhe do të trajtojnë çëshjte të ndryshme të sistemit të arsimit. Ata përgjatë kësaj kohe do të mësojnë nga këto eksperienca për t’u bërë më të mirë dhe për të zbuluar aftësitë, shkathtësitë e vlerat e tyre dhe për të marrë përgjegjësi që janë më të mëdha se vetë ata. Fellows do të krijojnë marrëdhënie kuptimplota dhe do të zhvillojnë shkathtësi të cilat do të jenë të nevojshme për të qenë të suksesshëm në fushat që ata synojnë t’i ndjekin pas përfundimit të Fellowshipit.
Lidership dhe avokim afatgjatë
Teach For Kosova do të vazhdojë të mbështesë dhe të punojë me alumni për shumë kohë edhe pas përfundimit të programit. Si alumni, ju do të shfrytëzoni përvojën tuaj të fituar në Teach for Kosova për t’u bërë liderë në arsim, politikë, korporata si dhe në sektore të tjera. Do të vazhdoni të jeni udhëheqës në një lëvizje për barazi në arsim dhe do të ndihmoni në nxitjen e progresit social dhe ekonomik në Kosovë.