INSTITUTI VEROR
Gjatë verës, ju do të përgatiteni të udhëhiqni një klasë duke marrë pjesë në një program intenziv pesë javor apo ndryshe ‘’Instituti Veror’’. Në këtë trajnim, duke qenë pjesëmarrës aktiv, ju do të përforconi njohuritë tuaja mbi mësimdhënien, do të krijoni plane mësimore dhe do të filloni të fitoni përvojë të mësimdhënies duke dhënë mësim në shkollën verore. Kështu ju do të formësoheni për të zhvilluar një ndjenjë të fortë të përgjegjësisë kolektive dhe do të mësoheni se si të reagoni ndaj të papriturave si kohortë. Në këtë rrugëtim do të mbështeteni vazhdimisht nga trajnerët e mentorët tanë. Gjithashtu, do të thelloni njohuritë tuaja rreth vizionit dhe misionit të Teach For Kosova.
VITI I PARË
Si Fellow i Teach For Kosova, ju do të vendoseni në një shkollë publike si mësimdhënës për një periudhë kohore dyvjeçare. Në atë shkollë, ju do të punoni e bashkëpunoni me mësimdhënësit tjerë, drejtorin tuaj dhe liderë në komunitet për të vendosur një vizion për nxënësit tuaj. Ju do të baraspeshoni përgjegjësitë tuaja si mësimdhënës. Planifikimi dhe udhëheqja e mësimeve, menaxhimi i klasës dhe përfundimi i punëve administrative janë pjesë e rolit tuaj si udhëheqës në klasë.
Për ta mbështetur vitin tuaj të parë si mësimdhënës, ju do të merrni trajnime individuale, trajnime mujore grupore, mjete dhe burime të zhvillimit profesional nga ekipi Teach For Kosova. Si fellows, do të rriteni dhe do të mësoni nga njëri-tjetri si dhe do të shfrytëzoni njohuritë e aftësitë tuaja të përbashkëta për të krijuar ndikim kolektiv nëpër shkollat tuaja dhe në komunitet.
VITI I DYTË
Gjatë verës do të eksploroni një fushë që lidhet me arsimin për të përforcuar njohuritë dhe për të zhvilluar përvojën tuaj nëpërmjet një praktike apo punë-projekti. Kështu, do të filloni vitin tuaj të dytë me më shumë eksperiencë dhe do të filloni të planifikoni dhe zbatoni nisma përtej klasës suaj.
Ju mund të punoni me nxënësit tuaj ose me nxënës të tjerë për të gjetur zgjidhje për sfidat në shkollën ose komunitetin tuaj dhe do të vazhdoni të merrni trajnime dhe mbështetje nga Teach For Kosova. Në këtë pikë, gjithashtu, do të filloni të mendoni për hapat e ardhshëm pas programit.
PAS PROGRAMIT
Ju do t’i bashkoheni një rrjeti global me liderë të ndryshëm të cilët janë të pasionuar për të bërë ndryshime pozitive në komunitet dhe më gjerë. Ju mund të vazhdoni të punoni në role që ndikojnë në arsim, ose mund të punoni për të zgjeruar mundësitë në fusha të tjera, duke përfshirë biznesin, politikën, ligjin etj.
Cilëndo rrugë që zgjedhni, do të gjeni se udhëheqja në klasë është themelore për lidership afatgjatë dhe se Teach For Kosova do të vazhdojë të mbështesë aftësinë tuaj për t'u bërë një avokues i përjetshëm për arsimin.