Teach For Kosova filloi vitin e tretë të Institutit Veror me 20 Fellows të rinj
Gjatë 5 javëve të ardhshme, Fellows tanë do të njihen me problemet sistematike në sistemin arsimor të Kosovës, do të kenë përvojë praktike të mësimdhënies përmes Shkollës Verore dhe do të fitojnë aftësi udhëheqëse që kërkohen për t'u bërë ndryshimtarë në komunitetet e tyre dhe më gjerë.
Gjatë javës së parë të Institutit Veror, Fellows kanë pasur mundësinë të dëgjojnë ligjerata dhe të diskutojnë rreth temave të ndryshme me mysafirët e rëndësishëm si:
1. Zëvendësministri i Arsimit Dukagjin Pupovci, i cili ligjeroi për “Zhvillimin e politikave arsimore të bazuar në dëshmi”
2. Ministri Liburn Aliu prezantoi “Edukimin mjedisor për zhvillim të qëndrueshëm”
3. Për strategjitë e lexim-kuptimit të ftuar kishim Suzana Aliu, e cila krijoi nje hapësirë të këndshme në bashkëbisedimin me secilin Fellow, si dhe Osman Buleshkaj ishte personazhi që e mbylli këtë javë duke paraqitur një pjesë të rëndësishme të tregut të punës siç është “Rekrutimi në sektorin e arsimit.”
Përtej mysafirëve, Teach For Kosova zbatoi trajnime për zhvillim të lidershipit, i cili u fokusua në të kuptuarit e problemeve kyçe në sistemin tonë arsimor. Zbatuam trajnime me fokus për të siguruar që ne të krijojmë klasa të barabarta dhe gjithëpërfshirëse, dhe diskutime që i shtyjnë Fellows tanë të mendojnë në mënyrë kritike se si të pozicionohen për të qenë liderë në arsim.