Rezultatet e fundit të testit PISA për Kosovën kanë ngritur shqetësime të konsiderueshme në mesin e segmenteve të ndryshme të shoqërisë, përfshirë këtu edhe organizatat e shoqërisë civile. Performanca e dobët, e shoqëruar me mungesën e një përgjigjeje adekuate nga qeveria aktuale dhe administratat e kaluara, ka shkaktuar një shqetësim të painjorueshëm dhe në nevojë të theksuar për vëmendje dhe veprim.
Në përgjigje të kësaj situate, Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP), i përbërë nga 14 organizata, ka vendosur të iniciojë një peticion me tri kërkesa kryesore drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, të cilat janë si në vijim:
1. Riorganizimi i shkollave me më pak se 60 nxënës: Numri i nxënësve po zvogëlohet çdo vit, me rreth 340 klasa që kanë më pak se 5 nxënës në mbarë vendin. Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime konkrete për mbylljen e të gjitha shkollave me më pak se 60 nxënës.
2. Pensionimi vullnetar i parakohshëm për arsimtarët e moshës 55-64 vjeç: Aktualisht, mbi 25% e edukatorëve në Kosovë i përkasin kësaj moshe. Ofrimi i mundësisë për pension të parakohshëm është një masë e cila mundëson zvogëlimin e tepricës së arsimtarëve në Kosovë, kursimin e burimeve duke mos zëvendësuar pedagogët aty ku është e panevojshme, dhe hapjen e rrugës së një brezi të ri edukatorësh aty ku ka nevojë.
3. Vlerësimi vjetor i aftësive dhe njohurive të mësimdhënies për të gjithë edukatorët: Gjatë dekadës së fundit, vetëm 3% e edukatorëve i janë nënshtruar vlerësimeve formale të performancës. Me qëllim të mbështetjes e jo ndëshkimit të mësimëdhënësve, kjo pikë synon të kontribuojë në efektivitetin e procesit pedagogjik në tërësi.
Përmes adresimit adekuat të këtyre pikave, ne shpresojmë në një sistem arsimor të orientuar drejt një të ardhmeje të sigurt dhe premtuese.
Rrjeti synon të mbledhë 10,000 nënshkrime deri më 7 shtator. I bëjmë një ftesë të gjitha Organizatave të Shoqërisë Civile në Kosovë që të na bashkohen në procesin e mbledhjes së nënshkrimeve. Ftojmë gjithashtu studentët, edukatorët, mësuesit dhe të gjithë qytetarët e interesuar të dalin vullnetarë dhe të mbështesin peticionin, për shpëtim të arsimit.