Teach For Kosova nënshkruan zotim bashkëpunimi me MPJD dhe MASHTI

1245-title

Egzon Gashi, Drejtor Ekzekutiv i Teach For Kosova, bashkë me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe zëvendësministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna, kanë nënshkruar një zotim bashkëpunimi, me qëllim të rekrutimit dhe angazhimit të një force kolektive të udhëheqësve nga Kosova dhe Diaspora, të cilët do të kontribuojnë në arsimin parauniversitar të Kosovës.

Ky zotim bashkëpunimi ka për qëllim rekrutimin e kandidatëve në përputhje me nevojat dhe mungesat e kuadrove në drejtoritë komunale të arsimit. Pjesë e rekrutimit do të jenë të rinj të diplomuar me arritje të larta akademike, individë të përkushtuar, si dhe kompetentë për të dhënë mësim për një periudhë dyvjeçare.

Po ashtu, qëllimi i këtij zotimi është të lehtësojë dhe të zbatojë rekrutimin e “Fellows” të Teach For Kosova edhe nga diaspora.

Drejtori ekzekutiv i Teach For Kosova, Egzon Gashi nga ana e tij tha se TFK do të angazhojë individë të jashtëzakonshëm, të cilët do të sjellin ndryshim pozitiv në shkollat e Kosovës, duke e formësuar të ardhmen e nxënësve.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi e vlerësoi nënshkrimin e këtij dokumenti, ndërsa theksoi se MPJD do të angazhohet për ta bërë sa më të lehtë rekrutimin e të rinjëve të interesuar nga Diaspora, ndërsa zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Bërdyna theksoi se, Ministria e Arsimit e mirëpret këtë bashkëpunim, me qëllim të krijimit të mundësive të barabarta për zhvillimin dhe aftësimin e të rinjëve në arsimin parauniversitar.

Ky zotim bashkëpunimi, i nënshkruar ndërmjet TFK-së, MPJD-së dhe MASHT-it, do të konkretizohet me Memorandum të Mirëkuptimit, përmes të cilit do të përcaktohen hapat, detyrat dhe kontributi i secilës palë, në mënyrë që të ketë një implementim sa më të suksesshëm të objektivave të këtij bashkëpunimi.

Gallery

Share this Post: